Fitorja me goleadë 5-1 e Barcelonës ndaj Villarrealit u la në hije nga dëmtimi i rëndë i Marc-André Ter Stegen. Sipas sportives spanjolle “Mundo Deportivo”, portieri gjerman ka pësuar një këputje në tendinë në gju, e do t’i duhen minimalisht tetë muaj që të mund të rigjejë gjendjen optimale.

Sipas mjekëve, i tillë dëmtim ka nevojë për operacion për të rikthyer funksionin normal të gjurit e më pas një rikuperim të kujdesshëm. Presidenti i La Liga-s, Havier Tebas reagoi në lidhje me çështjen e tha se blaugranat do të lejohen që të hyjnë në merkato për të blerë një portier të ri.

Sipas spanjolles sportive “Sport”, klubi katalanas po shikon alternativa për zëvendësimin e gjermanit. Në këto rrethana, Barcelona duhet që të gjejë një futbollist që është pa kontrate.

Iñaki Peña aktualisht shikohet si alternativa më e mirë për portën.

Peña që u rikthye te blaugranat në 2022, u ndëshkua 32 herë në 17 takime sezonin e shkuar, kurse gjermani 37 gola në 36 ndeshje. Portierë të lirë janë Keylor Navas, Jordi Masip, Edgar Badía, Jiri Pavlenka dhe Loris Karius.

Klan News