Në total vlera e kontratave koncesionare në Shqipëri arrin në 806 miliardë Lekë, ose 8 miliard Dollarë, ku më shumë se gjysma e kësaj vlere janë dhënë në periudhën e 5 viteve të fundit.

Shifrat i dha ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, e cila tha se numri më i madhi kontratave koncesionare është firmosur në periudhën 2004-2013.

Në komision të vetmit deputetë të opozitës që pyetën ministren Denaj lidhur me ligjin e ri ku eliminohen ofertat e pakërkuara në sektorin e infrastrukturës ishin ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa demokratët mungonin. Pyetjes së deputetit Haxhinasto lidhur me riskun fiskal që japin te borxhi publik kontratat PPP që priten të miratohen, Anila Denaj iu përgjigj kështu: 

Nuk do të lejoj të shkelet kufiri 5% i të ardhurave, nëse kanë risk nuk do të miratohen.

Në 1 Korrik nuk do të lejohen oferta të pakërkuara nga kompanitë private në shumicën e sektorëve, përveç atij të energjisë, porteve dhe aeroporteve. Edhe në rastet kur këto oferta do të lejohen, qeveria nuk do të shpërblejë firmat private me bonus të pikëve në garë, por do të përzgjedhë ofertën financiare më të mirë.

Tv Klan