Kryeministri Edi Rama çeli mbrëmjen e së hënës një ekspozitë në Athinë me punimet e tij në pikturë dhe skulpturë të titulluar “Improvizimet”. Në ceremoni kanë qenë të pranishëm edhe Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i Jashtëm Nikos Dendias.

Kreu i qeverisë ka shpërndarë një video nga ceremonia. Ai u prit nga ministri grek Dendias. Ndërkohë Rama shoqërohej nga bashkëshortja Linda Rama dhe djali i vogël, Zaho. Në video dallohet teksa ministri grek mban për dore djalin e kryeministrit Rama teksa ngjisin shkallët.

Ndërkohë gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u shpreh mirënjohës për pritjen. Ai theksoi se është hera e parë që viziton një vend si kryeministër dhe në çantë nuk mban vetëm shënimet, por edhe artin e tij. Kreu i qeverisë nuk la pas batutat.

“Meqë ra fjala unë jam artisti më i mirë ndër kryeministra dhe padyshim kryeministri më i mirë ndër artistë”, tha Rama.

Po ashtu, kreu i qeverisë u shpreh se fjalimi që mbajti në këtë ceremoni është një prej të cilave e ka emocionuar më shumë sepse nuk mbajti “fjalim prej politikani, por rrëfim prej artisti”.

Në fjalën e tij, Dendias vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve duke u shprehur se Greqia e sheh Shqipërinë si një fqinj dhe mik të ngushtë duke shpresuar që së shpejti ajo të jetë një anëtare e familjes evropiane./tvklan.al