Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, do të vizitojë Shqipërinë të martën. Diplomati grek pritet të takohet me Kryeministrin dhe njëherësh ministrin e Jashtëm, Edi Rama dhe ministrin në detyrë Gent Cakaj.

Pas takimeve pritet të mbahet edhe një konferencë për shtyp. Fokusi i takimit do të jetë marrëveshja detare.

“Zgjidhja për Greqinë është përcaktimi i kufijve të shelfit kontinental për ndarjen e Zonave Ekskluzive Ekonomike, në bazë të ligjeve ndërkombëtare për vendet fqinje. Me Shqipërinë duam ta zgjidhim këtë pengesë të prapambetur sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi Dendias javën e kaluar për mediat greke.

Pak kohë më parë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi se Greqia do të zgjerohej me 12 milje në detin Jon. Kjo hapi dhe njëherë diskutimet për marrëveshjen detare mes dy vendeve, me kryeministrin Edi Rama që tha se Greqia ishte në të drejtën e saj ndërkombëtare të detit me këtë zgjerim.

Më pas gjatë një forumi në Athinë, kryeministri Edi Rama deklaroi se ndërhyrja e një palë të tretë, qoftë kjo dhe Gjykatë Ndërkombëtare, do të lehtësonte procesin e arritjes së marrëveshjes me Greqinë për hapësirën detare./tvklan.al