Një francez ka marrë dënimin më të rëndë për trafikim të lëndëve narkotike në Indonezi. Felix Dorfin 35 vjeç u dënua me vdekje për trafik të 3 kilogramëve drogë. Prokurorët kishin kërkuar për të dënimin me 20 vite burgim, por vendimi i gjykatës ishte ekstrem. Ai u arrestua në Shtator të vitit të kaluar në aeroportin e ishullit Lombok të Indonezisë.

Ky shtet ka ligjet më të rënda për trafikun e drogës, duke përfshirë edhe dënimin me vdekje për trafikantët. Avokati i 35-vjeçarit francez tha se vendimi i gjykatës do të apelohet. Në momentin e arrestimit në aeroport, francezit iu gjet në valixhe 3 kg drogë, ekstazi dhe amfetamina. Gjykatësi tha se ai bën pjesë në një sindikatë ndërkombëtare të drogërave. Prokurorët kërkuan dënimin me 20 vjet burg dhe gjobë 700 mijë Dollarë, ose në mungesë të shumës së parave dënimin me 1 vit burgim shtesë.

Mirëpo në Indonezi është e zakonshme që gjyqtarët të shkojnë përtej kërkesës së Prokurorisë. Më herët gjatë këtij viti, 35-vjeçari Dorfin ishte arratisur nga qelia ku po mbahej dhe u arrestua më vonë pasi u gjet i fshehur në pyll. Një oficere policie u arrestua pasi dyshohet se e kishte ndihmuar të arratisej duke sharruar hekurat e qelisë, në këmbim të parave. /

tvklan.al