Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu ka bërë thirrje të gjithë opozitarëve të bashkohen në betejën kundër qeverisë. Berisha u shpreh se sot opozita është në këmbë për të reaguar ndaj arrestimit të Ervin Salianjit.

Më tej kryedemokrati u shpreh se fillimi i protestave të opozitës në ditët e para të Tetorit është fillimi i fundit të qeverisë.

Sali Berisha: Opozita sot është në këmbë. Opozita sot është më e fuqishme, më e vendosur se kurrë për t’i dhënë përgjigjen që meriton Edi Rama. Edi Rama e dinte se ora e betejës vendimtare po afronte. E dinte se opozita kishte vendosur të ngrihej në një betejë vendimtare, në një betejë pa kthim, në një betejë të pandalshme për krijimin e qeverisë teknike, për zgjedhje të lira, rotacionin e pushtetit, fitoren e opozitës. Pikërisht në këtë moment ai zgjodhi dënimin me burg të Ervin Salianjit, sepse provoi lidhjet e shtetit me drogën, lidhjet e Edi Ramës dhe të Fatmir Xhafës, Olsi Ramës me Gerondin që drejtonte trafiqet dhe lojërat e fatit nga Vlora, dhe që mbanin për Olsin dhe Gerondin vëllezërit kriminelë në pushtet 8 muaj pa votuar ligjin për lojërat e fatit. Sepse, jo interesat e qytetarëve, por interesat kriminale të vëllezërve të tyre sundonin mbi parlamentin, mbi ligjin.

Fillimi i protestave të opozitës në ditët e para të Tetorit është fillimi i fundit të narkoregjimit, është fillimi i fitores të opozitës së vërtetë mbi regjimin antishqiptar të krimit, drogës dhe vjedhjes së qytetarëve. Me këtë rast ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, iu bëj thirrje të gjithë opozitarëve të bashkohemi në këtë betejë. Beteja për qeverinë teknike, beteja kundër terrorit dhe dhunës ndaj opozitës. Është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari të ndershëm. Është betejë për interesin kombëtar të shqiptarëve, betejë për interesin e Shqipërisë. Shqipëria me burgje politike. Shqipëria me të burgosur politikë. Shqipëria me farsë elektorale. Shqipëria me drejtësi të kontrolluar nga diktatori. Shqipëria e qytetarëve të plaçkitur gjer në palcë nga regjimi. Shqipëria e kodeve mafioze. Është Shqipëri jo e shqiptarëve. Është Shqipëria, jo vend i bekuar i tyre, por vend i mallkuar i tyre.

Ndaj kush e ndien veten shqiptar të bashkohemi me guxim. Guximtare dhe guximtarë është koha juaj, është ora juaj, është ora e fitores, e shqiptarëve. Ndaj dhe ke të ngrihemi ne si viganë, le t’i dëshmojmë Europës dhe mbarë botës se para se të votojmë me duart tona, do të votojmë me gjokset tona, do të votojmë me këmbët tona, do të votojmë me guximin tonë, do të votojmë me triumfin tonë, do të votojmë me fitoren tonë.

Kujtojmë se Ervin Salianji është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Apelit në lidhje me çështjen “Babale”, dënim që do ta vuajë në burgun e Fierit.

/tvklan.al