Burime nga mbledhja e Kryesisë së PD-së kanë bërë me dije për gazetarin e Klan News, Enkel Xhangoli se është propozuar që të kalohet në radikalizim të protestave duke bllokuar rrugë, porte, aeroporte. Sipas të njëjtave burime, protestat pritet të zhvillohen brenda 10 ditëve të ardhshme.

Gjithashtu, kryedemokrati Sali Berisha gjatë mbledhjes së Kryesisë ka ftuar demokratët dhe drejtuesit e PD-së të dalin në protesta, teksa ka shtuar se Salianji është secili prej tyre.

Sali Berisha: Prandaj, të dashur miq, të lëmë çdo gjë. Nga mëngjesi gjer në darkë t’i përkushtohemi betejës. Nuk jemi ne opozitë për t’u mposhtur në këtë mënyrë. Nuk jemi ne opozitë për t’u mposhtur nga një kryebandit. Nga një kryehajdut që kombi nuk e ka pasur në histori si Edi Rama. Nuk jemi ne si opozitë për t’u mposhtur nga bandat e qeverisë. Ndaj dhe të themi ndal tani, është radha jonë. T’i kthehemi këtij regjimi, t’i kthehemi ditë për ditë, t’i kthehemi gjer në fitore. Të lëmë çdo gjë, Salianji është secili prej jush. Ervin Salianji bëri detyrën që kishin detyrë secili prej nesh.

Ervin Salianji që u dënua sot nga Geron Xhafa, prestanom i Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës, u dënua në mënyrë që ne të mos çelim më gojën. U dënua që të na thonë se fatin e tij do pësoni po na sulmuat. Atëherë o burra në shesh në një betejë të pandalshme. Ndaj dhe cilido që mendon ndryshe, do respektohet mendimi i tij. Por një gjë, opozita kaq e fuqishme nuk mundet kurrë të poshtërohet, të nënshtrohet, të pranojë shtypjen. Nuk del kurrë në klandestinitet, por i qëndron dhëmb për dhëmb kriminelëve, bandave, kujtdo.

Çfarë misioni mund të kryejmë ne, kur deputeti ynë shkon në burg sepse denoncoi trafikanti Geron Xhafa? Ndaj dhe, besoj dhe mendoj se opozita do të përmbushë këtë mision me qëllimin më të mirë, opozita në betejën që fillon për mosbindjen civile, ka vetëm një synim, rikthimin e votës së lirë. Po nuk ka zgjedhje me opozitën në burg. Nuk ka zgjedhje me ndëshkimin e opozitarëve që denoncojnë krimin e kryeministrit. Nuk ka zgjedhje me një kriminel si Edi Rama, që si përfaqësues i krimit shqiptar ndërkombëtar, kërkon të ndëshkojë shtete islamike për të larë miliardat e krimit në bankat e tij.

Shqiptarët duhet t’i zgjojmë, nuk ka më trima, ta harrojë kush. E kanë faktuar në histori. Cilido që i beson historisë, gjen në historinë e këtij populli me 100 probleme, aktet më sublime të trimërisë. Ndaj dhe ju ftoj demokrate e demokratë, ftoj drejtuesit e PD të dalin në shesh të mejdanit. Salianji është secili prej nesh, Salianji është secili prej qytetarëve, secili prej opozitarëve. Kriminelëve nuk u shtrihet kurrë qafa, përkundrazi dhëmb për dhëmb dhe ballë. Shpëtojmë Shqipërinë nga mafia, shpëtojmë Europën nga mafia shqiptare. Shpëtojmë të ardhmen e kombit shqiptar. Është radha jonë. O sot, o kurrë!

Mbledhja urgjente e Kryesisë së PD-së u thirr pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të lënë në fuqi atë të Shkallës së Parë për dënimin me 1 vit burg për demokratin, Ervin Salianji lidhur me çështjen “Babale”./tvklan.al