Partia Demokratike do t’i përgjigjet me radikalizim të aksionit të saj, vendimit të gjykatës së Apelit që dënoi me 1 vit burg, deputetin Ervin Salianji.

Në mbledhjen e kryesisë, ku i pranishëm ishte edhe vete deputeti demokrat, opozita vendosi të nisë mosbindjen civile, duke nisur nga seancat plenare, deri te bllokimi i akseve rrugore, aeroportit e porteve, si dhe universiteteve.

Gjatë fjalimit të tij online, kryetari demokrat Berisha tha se kryfjala e opozitës do të jetë rezistenca dhe protestat.

“Sot më shumë se kurrë duhet të flasë guximi i opozitës. Qendrimi ynë do jetë një opozitë me të madh e me të vogël, në proteste, në proteste, në protestë. Qendrimi ynë do jetë, përqafimi i modelit të rezistencës në rrugë, në shesh, të përballjes dhëmb për dhemb, si objektivi më madhor absolut, me këtë regjim që nuk njeh Kushtetutë.”

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, sekretari i përgjithshëm i PD-së Flamur Noka lajmëroi mbajtjen e protestës mbarëkombëtare më 6 Tetor.

Flamur Noka, sekretar i Përgjithshëm i PD-së: Data 6 do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës. Nuk bëhet fjalë për protestë thjeshtë kombëtare, përshkallëzim. E kemi thënë dhe po e them sot, përshkallëzim. Radikalizim. Nuk do të thotë që të mblidhemi në bulevard, por që do të thotë se do të jemi në terren në të gjitha akset kryesore.

Për hapat e mëtejshëm pritet të mblidhet në ditët në vijim edhe Këshilli Kombëtar i PD-së.

Klan News