Arabia Saudite nuk do të aplikojë dënimin me vdekje për njerëzit që kanë kryer krime në moshë të mitur. Njoftimi vjen dy ditë pasi u deklarua se në vend do të ndalohet gjithashtu rrahja me kamzhik.

Konventa për të drejtat e fëmijëve, ku edhe Riadi është anëtarësuar, tha se dënimi kapital nuk duhet përdorur ndaj fëmijëve. Aktivistët në Arabinë Saudite janë ankuar se vendi ka rekordet më të zeza në lidhje me të drejtat e njeriut.

Ata janë shprehur se liria e shprehjes shpesh është e cunguar dhe kritikat ndaj qeverisë mund të të fusin në burg. Sipas vendimit që u bë publik të dielën, tashmë fëmijët mund të dënohen në maksimum deri në 10 vjet në një qendër dënimi.

Nuk dihet ende nëse vendimi do të ketë efekt të menjëhershëm. Aplikimi i të drejtave të njeriut në Arabi kanë qenë prej kohësh nën vështrimin e ekspertëve, sidomos pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi. Atje ka shumë aktivistë që janë futur në burg./tvklan.al