Arrestohet në Dubai të Emiratave të Bashkuara Arabe, Denis Bajri, i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza” pasi akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit.

Në njoftimin zyrtar, policia thotë se kishte siguruar informacione të sakta për vendodhjen e tij dhe në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Dubai, është bërë e mundur prangosja e 36-vjeçarit me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.

Denis Bajri akuzohet se ka vrarë më datë 9 Gusht të vitit 2020, Gjin Ndojin. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi, pak metra larg automjetit të llojit “BMW” që ai kishte marrë me qira. Atentati ndodhi në Vaun e Dejës. Gjin Ndoj njihej dhe me mbiemrin Boriçi.

Kjo ngjarje u zbulua nga përgjimet e dosjes Metamorfoza. SPAK dyshon se porositësi i kësaj vrasje është Ervis Martinaj. Ky i fundit, ka kontraktuar shtetasin Behar Bajri dhe Denis Bajrin. Në këmbim të vrasjes së Gjin Ndojit, Ervis Martinaj do të realizonte vrasjen e Kleant Musabelliut.

Nga përgjmet rezulton se Denis Bajrit i është bllokuar fillimisht arma dhe më pas e ka qëlluar me breshëri Gjin Ndojin.

Klan News