Stuhia ‘Dennis’ e ka zgjeruar trajektoren e tij edhe në shtete të tjera duke shkaktuar dëme të pallogaritshme materiale.

Këto pamje tregojnë sesi rrjedha e lumit merr të gjitha makinat përpara. Mbi 200 paralajmërime për përmbytje janë lëshuar nga autoritetet sidomos në zonën e Uellsit për shkak se lumenjtë ndodhen në pikën kritike.

Era e fortë ua ka vështirësuar punën ekipeve të kërkim shpëtimit në evakuuimin e njerëzve. Përmbytjet e shumta kanë sjellë dëme materiale në banesa si dhe në biznese.

Disa rrugë kryesore dhe autostrada vijojnë të qëndrojnë të mbyllura në Britani, Skoci dhe Uells.

Stuhia “Dennis” ka sjellë pezullimin në trena dhe metro, ndërsa një pjesë e madhe e fluturimeve janë anuluar.

Mijëra banesa vijojnë të qëndrojnë pa energji elektrike, pasi era e fortë ka dëmtuar linjat e tensionit të lartë. Autoritetet kanë pezulluar mësimin edhe në shkolla të shumta.

Gjithashtu edhe në pjesën veri-perëndimore të Francës si dhe në Belgjikë autoritetet kanë vendosur alarmin portokalli dhe i kanë bërë thirrje njerëzve që të shmangin lëvizjet deri në përmirësim të motit.

Klan Plus