Një gjykatë në Turqi ka dhënë dënime të përjetshme për dhjetëra të pandehur në një nga gjykimet më të mëdha të lidhura me përpjekjen e grushtit të shtetit në vitin 2016. Gjyqi kishte filluar në Gusht të vitit 2017 dhe në akuza përfshihen përpjekje për të vrarë Presidentin Recep Tayip Erdogan dhe për të kapur institucionet kryesore shtetërore.

Midis gati 500 të akuzuarve bëjnë pjesë pilotë të forcave ajrore dhe komandantë të ushtrisë turke. Mbi ta rëndojnë dyshimet se kanë drejtuar komplotin kundër Erdogan, nga baza ajrore Akinci pranë Ankarasë.

Erdogan ka fajësuar klerikun mysliman Fethullah Gulen për organizmin e komplotit, që vrau 251 njerëz dhe la më shumë se 2,000 të plagosur, duke çuar më pas në arrestime masive.

Në aktakuzë thuhet se janë 25 pilotë të F-16 që bombarduan institucione në Ankara, përfshirë parlamentin, i cili u godit tre herë, si dhe ndërtesat kryesore të sigurisë. Bombat e hedhura vranë 68 persona vetëm në Ankara dhe plagosën më shumë se 200 të tjerë.

Njëzet e pesë të tjerë të akuzuar janë gjeneralë dhe 10 janë civilë. Prej tyre, më shumë se 10 oficerë ushtarakë, përfshirë pilotët e F-16 dhe katër civilë kanë marrë 79 dënime të përjetshme secili.

Lëvizja Hizmet e udhëhequr nga Gulen cilësohet si një organizatë “terroriste” nga Erdogan. Gulen dhe Erdogan dikur ishin aleat, por që nga përpjekja e grushtit të shtetit, kleriku 79-vjeçar ka mbetur i arratisur në Pensilvani, SHBA me Turqinë që kërkon ekstradimin e tij./tvklan.al