Prokurori saudit: 11 të akuzuar, por vrasja pa paramendim

Arabia Saudite ka dënuar me vdekje 5 persona të shpallur fajtor për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Ai u vra nga pjesëtarë të Shërbimit Sekret Saudit më 2 Tetor në Konsullatën saudite të Stambollit.

Dënimi kapital për 5 nga 11 të akuzuarit për këtë çështje, të dalë përpara gjykatës së krimeve në Riad u kërkua nga Prokuroria e Përgjithshme e Arabisë Saudite. Megjithatë, kryeprokurori theksoi se vrasja ishte pa paramendim.

“Ishte një vrasje e nxitur nga rrethanat e momentit, kur kreu i ekipit negociator nuk arriti t’a bindë viktimën për të pranuar transferimin në një vend më të sigurt për të rinisur negociatat”.

Mes 5 të dënuarve me vdekje është një mjek ligjor dhe një pjesëtar i Shërbimeve Sekrete. Vendimi pritet të apelohet në Gjykatën e Apelit dhe në atë Supreme. Khashoggi ishte ndër gazetarët më kritikë të Princit të Kurorës Mohamed bin Salman dhe punonte për “Washington Post”. Në Arabinë Saudite, ai kishte disa procese të hapura gjyqësore ndaj dhe autoritetet e kërkonin për t’a nxjerrë para gjykatës.

Hetimet e CIA-s kanë arritur në përfundimin se vrasja ishte porositur nga vetë princi, aleat i Washingtonit, i cili i ka mohuar akuzat. Ditën e vrasjes, ai kishte shkuar në Konsullatën saudite në Stamboll për të përgatitur dokumentet e fejesës me shtetasen turke Hatixhe Çengiz.

Por punonjësit e shërbimeve sekrete i kishin përgatitur një kurth për ta rrëmbyer me forcë, për ta dërguar në Arabinë Saudite, por që ngjarja përfundoi me vrasje.

Tv Klan