Një ish-roje, 93 vjeç është shpallur fajtor se kishte ndihmuar për vrasjen e 5.232 personave në një kamp përqëndrimi nazist, në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Bruno Dey, i cili ishte 17 vjeç kur u bashkua me kampin e përqëndrimit në Stutthof si roje, iu dha dënimi me 2 vjet burg, nga një gjykatë në Hamburg të Gjermanisë.

Prokuroria kishte kërkuar një dënim me 3 vjet burgim, ndërsa avokati i tij kishte kërkuar lirim. Gjyqi nisi që në muajin Tetor dhe vijoi pavarësisht fillimit të pandemisë së virusit.  

Dey u zbulua se kishte ndihmuar në vrasjen e 5.232 personave, kryesisht të burgosurve hebrenj midis muajve Gusht 1944 dhe Prill 1945, por pa vrarë personalisht asnjë prej tyre.

Prokurorët argumentuan se duke penguar të burgosurit të arratiseshin, rojet luanin një rol vendimtar në lejimin e vrasjeve masive që ndodhnin në Stutthof, ku rreth 65,000 njerëz u zhdukën para 9 Majit 1945.

Gjatë 45 ditëve në gjyq, Dej tha se imazhet e vuajtjes dhe terrorit, e kishin ndjekur për gjatë gjithë jetës së tij.

Në gjyq, 93-vjeçari u shpreh: Dëshmitë e dëshmitarëve okularë dhe raportet e ekspertëve më kanë bërë për herë të parë të vetëdijshëm për dhunën e egër që është ushtruar aty.  Sot dua t’iu kërkoj falje të gjithë atyre që përjetuan atë çmenduri djallëzore dhe të afërmve të tyre. Diçka e tillë nuk duhet të përsëritet kurrë.

Por më tej, ai shtoi se nuk ishtë në dijeni të vrasjeve masive dhe as rolin e tij në kryerjen e tyre.

“Unë nuk jam fajtor. Unë nuk i kam bërë dëm të drejtpërdrejtë askujt”.

Zyra Qendrore e Administratave të Drejtësisë në Gjermani, për Hetimin e Krimeve Kombëtare Socialiste u shpreh se po heton 14 individë të tjerë, për krimet e kryera në kampet e përqendrimit. /tvklan.al