Një elektriçist shqiptar, i cili shkoi në Britani për një jetë më të mirë, u dënuar me 12 muaj burg pasi u kap duke kultivuar kanabis.

Sipas mediave britanike, L.Zdrava u arrestua pasi policia e Cleveland ndërmori disa operacione për shkatërrimin e një bande që merrej me prodhimin e drogës në Middlesbrought. Autoritetet bastisën disa adresa ku u gjetën me qindra bimë kanabisi.

Në seancën e zhvilluar në gjykatën e Teesside, u zbulua se 44-vjeçari shqiptar hodhi tutje një telefon celular, teksa u përpoq t’i shpëtonte arrestimit më 17 Tetor të vitit të shkuar, kur policia bëri kontroll në një adresë në rrugën Dorothy. Aty u zbuluan 162 bimë kanabisi, të mbjella në 4 hapësira të ndryshme.

Prokurori i çështjes tha se vlera e bimëve përllogaritej se shkonte nga 45 deri në 136 mijë paund. “Është një sasi e konsiderueshme dhe vendi ishte në gjendje të prodhonte drogë e cila përllogaritet se e kalonte shifrën e 400 mijë paundëve në vit”, tha akuza.

Shqiptari pranoi se ishte kujdesuar për kanabisin për një periudhë 6 javore, nga 9 Shtatori deri më 17 Tetor të vitit të shkuar.

Avokati i tij mbrojtës tha se Zdrava ishte me profesion elektriçist dhe kur ishte larguar nga Shqipëria kishte qenë shumë naiv. Ai e kishte pasur të vështirë që të gjente punë të ligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.

“Gjërat nuk shkuan sipas planit dhe përfundoi që u shfrytëzua nga drejtuesit i këtij rrjeti kriminal“, tha pala mbrojtëse.

Në fund të seancës, gjykatësi e dënoi shqiptarin me 12 muaj heqje lirie./tvklan.al