10 vite burg për Balilin

10 vite burg për Balilin

15:53 07/05/2019

Pas 7 seancash, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të denojë me 10 vite burg Kelmend Balilin. 47-vjeçari është shpallur fajtor për katër akuzat e ngritura nga Prokuroria, ndërsa pritet që avokati mbrojtës i Balilit të ankimojë vendimin. I pandehuri nuk ka reaguar pas leximit të vendimit nga gjykata. Por avokati i tij Theodhori Sollaku kërkoi pafajësi duke argumentuar se provat e akuzës nuk vërtetojnë se 47-vjeçari implikohet në trafikun e 767 kilogramëve kanabis nga Saranda në Greqi.

Përgjatë 2 orëve Sollaku u përpoq të argumentonte se emri i 47-vjeçarit mund të jetë përdorur nga të tjerë persona. Pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata vendosi ta shpallë fajtor për të katër akuzat; trafik ndërkombëtar droge, grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Procesi ndaj Kelmend Balilit ishte një nga më të shkurtrit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për shkak se ai kërkoi gjykimin e shkurtuar duke përfituar edhe uljen e dënimit me 1/3.

47-vjeçari u vetëdorëzua në polici pas gati tre vitesh arrati në 15 Janar të këtij viti. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Balili dhe familjarët e tij po përballen edhe me nje tjetër proces, atë të konfiskimit të pasurisë. Prokuroria ka kërkuar që disa pasuri të familjarëve të Kelmend Balilit të kalojnë në favor të shtetit pasi nuk justifikohen dhe janë produkt i aktivitetit kriminal të 47-vjeçarit. Ndër pasuritë që kërkohet konfiskimi është edhe kompleksi turistik ‘Santa Quaranta’ në bregdetin e Sarandës, 27 mijë metra katrorë tokë dhe 23 apartamente.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi