Gjykata e Tiranës i dha fund procesit gjyqësor për një histori të rëndë familjare që pati si viktimë një 16 vjeçare. Për rrahjen e Arlinda Gumës me pasojë vdekjen u akuzua kunati i saj Saimir Krosi dhe motra e viktimës Marsela.
Fillimisht e pandehura që u prangos në sallën e gjyqit për dëshmi të rreme doli në mbrojtje të bashkëshortit, por në seancat pasardhëse ajo tregoi se bashkë me motrën torturoheshin dhe rriheshin nga Saimir Krosi. Ky i fundit e shfrytëzonte kunatën si prostitutë dhe me paratë e saj paguante qiranë e shtëpisë.
Një natë pasi viktima është kthyer vonë në shtëpi, i pandehuri e ka goditur aq fort sa ajo gjeti vdekjen më pas në spital, por dhunës nuk i ka shpëtuar as e shoqja Marsela, nënë e një vajze 4-vjeçare. Procesi ka vijuar me dyer të mbyllura deri në dhënien e vendimit.
Në një nga seancat Marsela Krosi tregoi shenjat e dhunës që i kishin mbetur ende në trup. Ajo do të lirohet nga burgu pasi u shpall e pafajshme. Ndërsa Saimir Krosi prej të cilit e pandehura kërkoi divorcin u dënua me 20 vite burg për krimin./tvklan.al