Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, është dënuar nga Gjykata e Zagrebit këtë të premte me 8 vite burg. Siç raporton Reuters, ai është dënuar për përvetësimin e fondeve për partinë e tij, në kohë kur ka qenë në qeveri.

Ai është shpallur fajtor, pasi ka marrë para nga ndërmarrjet publike përmes një agjencie marketingu. Sanader mohoi akuzat për korrupsion dhe pritet të apelojë dënimin e tij në një gjykatë më të lartë.

Vendim i sotëm ishte rigjykim i një çështje për të cilën Sanader ishte dënuar në vitin 2013, por që ishte anuluar më pas nga Gjykata e Lartë.

Sanader është 67 vjeç dhe ka qenë kryeministër i Kroacisë nga viti 2003 deri në 2009, kur dha dorëheqjen.

Ndërkohë ish-partia e tij u gjobit me 3.5 milion Kuna (Monedha vendase) nga gjykata dhe gjithashtu duhet të kthejë rreth 14 milion Kuna të marra në mënyrë të paligjshme./tvklan.al