Gjykata e Posaçme gjeti fajtore ish-sekretaren e përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duron dhe e dënoi atë me 4 vite burg për akuzën e korrupsionit, sipas kërkesës së SPAK. Duro do të vuaj në qeli 2 vite e 8 muaj burg, si pasojë e gjykimit të shkurtuar.

Për të njëjtën akuzë, Gjykata dënoi me nga 1 vit burg ish-zyrtaren tjetër Laura Shteto, inxhinierin Silvi Shehi dhe biznesmenin Vladimir Topi.

Edhe këta do të përfitojnë nga ulja e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Duke iu referuar hetimeve, SPAK thotë se administratori i kompanisë “Dricons” korruptoi ish-sekretaren e përgjithshme duke i dhënë asaj nëpërmjet inxhinierit të kompanisë Silvi Shehi 330 mijë lekë, në këmbim të fitimit të një tenderi me vlerë 800 mijë lekë.

Vlerat monetare, sipas Prokurorisë, iu dorëzuan Duros nga vartësja e saj Laura Shteto dhe u sekuestruan gjatë arrestimit në zyrën e saj. Hetimet për rastin u ndanë nga një procedim tjetër ku u kap në përgjime rasti korruptiv.

Tv Klan