Një gjykatë gjermane dënoi me dhjetë vjet e gjysmë burgim një predikues irakian, që shihej si udhëheqës de facto i grupit militant Shteti Islamik në Gjermani.

Ahmad Abdulaziz Abdullah Abdullah, i njohur gjithashtu si Abu Walaa, u dënua për drejtimin e një rrjeti xhihadist, që, siç u tha, radikalizoi të rinjtë në Evropë dhe i ndihmoi ata të udhëtonin në Irak dhe Siri.

Gjykata në qytetin verior gjerman, Celle, tha se Abdullah, 37 vjeç, ka qenë anëtar i një organizate të huaj terroriste dhe “ka ndihmuar në përgatitjen e akteve të dhunshme dhe në financimin e terrorizmit”.

Abdullah ka qenë imam në një xhami në qytetin Hilldeshajm, që ka mbledhur besimtarë myslimanë nga gjithë Gjermania. Xhamia, ndërkohë, është mbyllur nga autoritetet. Tre të bashkëpandehurve në gjyq iu dhanë dënime me burgim deri në tetë vjet.

Në një tjetër gjyq, një gjykatë në qytetin perëndimor gjerman, Koblenz, dënoi një ish-anëtar të shërbimeve të sigurisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad, me katër vjet e gjashtë muaj burgim, për shkak të lehtësimit të torturave ndaj civilëve.

Vendimi është i pari i tillë për krime kundër njerëzimit në luftën civile të Sirisë, që zgjat tash e dhjetë vjet.

Gjykata tha se Eyad A. ka arrestuar së paku 30 protestues anti-qeveritarë në fillim të konfliktit, më 2011, dhe se i ka dërguar ata në një qendër paraburgimi, ku e ka ditur se do të torturoheshin. Qeveria siriane mohon se torturon të burgosur./REL