morsi

Dënohet me vdekje ish – Presidenti egjiptan Mohammed Morsi. 63-vjeçari është mes 106 personave të tjerë, ndaj të cilëve Gjykata e Kajros vendosi dënimin maksimal.

Ata u shpallën fajtorë për organizimin e arratisjeve masive nga burgjet egjiptiane, në fillim të vitit 2011. Në atë kohë, Morsi ishte një prej krerëve të “Vëllazërisë Myslimane”, grupim që tashmë është i paligjshëm në Egjipt.

Nga burgjet u arratisën mbi 20 mijë të burgosur. Por në akuzë thuhet se shpërthimi i burgjeve u krye në bashkëpunim me organizatën libaneze Hezbollah dhe atë palestineze Hamas, me qëllim lirimin e militantëve islamikë të këtyre organizatave.

Ngjarjet ndodhen gjatë protestave kundër ish – Presidentit Hosni Mubarak, të cilat sollën rrëzimin nga pushteti të tij, në Shkurt të 2011 -ës.

Më 21 Prill, Morsi u dënua me 20 vite burg, për urdhërin e vrasjes së protestuesve gjatë protestave kundër pushtetit të tij në vitin 2012.

Ai u zgjodh President në mesin e atij viti dhe qëndroi deri në Korrik të 2013 -ës, kur u rrëzua, pas një grushti ushtarak shteti. Prej asaj kohe ai ndodhet në burg.

Gjithsesi, nëse dënimi me vdekje do të kryhet, këtë do t’a vendosë Myftiu i Madh i Egjiptit më 2 Qershor.

Tv Klan