61-vjeçari, Xhelo Kumbria rrëfeu në programin “Historia ime”, në Tv Klan historinë e tij. Në vitin 2014, policia i gjen një armë pa leje dhe ai dënohet me 1 vit burg.

Kumbria tregon se 3 kilometra larg shtëpisë kishte një stan dhe aty kishte edhe armën. Shpeshherë gjuante në ajër sepse kishte kafshë të ndryshme dhe ai donte të mbronte bagëtinë.

Mirela Milori: Pse kishe armë? Si t’u gjend ajo armë pa leje?

Xhelo Kumbria: Unë e kisha në stan, kisha një stan 2-3 kilometra larg shtëpisë. Edhe e mbaja tek stani, ngeli atje që kur u shpërndanë.

Mirela Milori: Të duhej për t’u vetëmbrojtur?

Xhelo Kumbria: Po hiç, cfarë mbrojtje, po kështu e kemi ne shqiptarët.

Mirela Milori: Çfarë arme ishte? Kallashnikov?

Xhelo Kumbria: Po kallashnikov.

Mirela Milori: Erdhën dhe kontrolluan apo si e gjetën?

Xhelo Kumbria: Po ka mënyra të ndryshme, se unë me thënë të drejtën shtija ndonjëherë, se ishte kënetë, kishte çakallë. Kisha bagëti atje. Jo se bëja luftë me ata, po kështu kot.

Mirela Milori: Qëlloje në ajër, u dëgjuan krismat dhe erdhi policia?

Xhelo Kumbria:  U dëgjuan, raportuan dhe erdhën më pyetën. Po ju thashë e kam, se nuk erdhën kot ata, ia dhashë dhe e morën.

Mirela Milori: Dhe u dënove për armëmbajtje pa leje?

Xhelo Kumbria:  Po!

Mirela Milori: U dënove një vit dhe e kreve një vit apo më pak?

Xhelo Kumbria:  Jo më pak, se pa dalë në gjyq ishte një ditë e gjysëm dhe e bëra më pak.

Mirela Milori: Sa qëndrove në burg?

Xhelo Kumbria: Vajti 10 muaj!

Mirela Milori: Si e mban mend atë periudhë? SI ka qenë për ty?

Xhelo Kumbria:  Po tani ajo punë, se ligjet janë ligje dhe nuk i deformojmë dot ne. Por atë e mbarova mirë unë, mirë- keq, s’ke çfarë i bën asaj pune./tvklan.al