Myslimanët paralajmërojnë hapjen e xhamive më 12 Maj

Ngjarjet e djeshme në Strugë, ku gjatë shënimit të një feste fetare ortodokse ishte organizuar një tubim masiv nga besimtarët, kanë shkaktuar reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut.

Konform kësaj ka reaguar edhe Bashkësia Fetare Islame duke paralajmëruar hapjen e objekteve fetare.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se ka biseduar me krerët e Bashkësive Fetare në Maqedoninë e Veriut, duke ua shfaqur shqetësimet dhe mungesën e respektit ndaj punonjësve shëndetësor.

“Pas informatës që u kumtua nga BFI-ja, e cila informoi se më 12 Maj do të hapen xhamitë, dua të informoj se ende është në fuqi ndalesa për grupim të më shumë se 2 persona. Apeloj deri tek organizatat fetare që të parandalojnë çfarëdo grupimi”.

Autoritetet shëndetësore të vendit kanë rekomanduar zbutjen e disa kufizimeve të lëvizjes për fundjavë, por janë shprehur kundër hapjes së aeroporteve.

Ministri Filipçe ka theksuar se ende është në fuqi rekomandimi që qytetarët që arrijnë në vend duhet të kalojnë 14 ditë në karantinë. 

Tv Klan