Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë një denoncim publik lidhur me hetimet që kanë nisur për inceneratorët e plehrave.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët nga selia blu, Basha thotë se një nga personat kyç të këtij hetimi, po shantazhohet nga “mafia e plehrave”, siç e konsideron kryedemokrati.

Ky person është Stela Gugallja, deklaroi Lulzim Basha, zonja e cila ka përfituar tenderin për inceneratorin e plehrave, bashkëjetuesi i së cilës është Mirel Mërtiri, njëri nga personat e denoncuar nga Partia Demokratike.

Basha i ka kërkuar SPAK-ut që të hetojë sa më shpejt këtë çështje.

“Ka më shumë se 1 javë që i kërkoj SPAK-ut të nisë hetimet e vërteta për vjedhjen e më shumë se 75 milionë Euro për inceneratorët. Sipas informacioneve që kanë mbërritur, një nga personat kyç për këtë hetim, Stela Gugallja, është vënë nën presion nga mafia e plehrave, ndaj dua t’i përsëris SPAK të ndarmarrë urgjentisht marrjen e veprimeve hetimore, dhe të përdorë mekanizmat për mbrojtjen e dëshmitarëve kyç para se t’i ikin në drejtim të paditur. Uroj mos të jetë rasti me Stelën e inceneratorëve dhe as me dëshmitarë të tjerë kyç. E paralajmëroj sot SPAK se nëse të pandehurit kryesorë të kësaj afere, ikin në drejitm të paditur, nuk është për shkak objektiv por është për shkak të përgjegjësisë së tyre dhe avashllëkut misterioz me të cilin po trajtojnë një aferë”, deklaroi kryetari i PD, Lulzim Basha. /tvklan.al