lauraPartia Demokratike thotë se dy vite më parë Sajmir Kurti, Drejtori i ri i Zyrës së Punës në Kavajë, ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar me akuzën e kontrabandës, ndërsa sot gëzon besimin e kryeministrit Rama në krye të një institucioni siç është Zyra e Punës.

Sipas Partisë Demokratike , edhe ky emërim fakton lidhjet klienteliste të kryeministrit me persona që kanë patur probleme me ligjin.

Por pak orë pas këtij denoncimi, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të punësimit njoftoi Dorëheqjen e Drejtorit të Zyrës së Punësimit në Kavajë, Saimir Kurti.

Denoncimet e Partisë Demokratike detyruan edhe Minstrinë e Bujqësisë të shkarkojë nga detyra Aleksandër Kalemajn, i emëruar pak ditë më parë si përgjegjës sektori pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Partia Demokratike e akuzoi Kalemajn se ka qenë i arrestuar për prodhim pijesh të falsifikuara. Ministria e Bujqësisë thotë në njoftimin e saj së shkarkimi i Kalemajt u bë me kërkesë të kryeministrit Rama i cili kërkoi verifikimin e fakteve. Problemet me ligjin detyruan pak javë më parë edhe drejtorin e sapoemëruar të Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani të japë dorëheqjen. Pak javë më parë kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka denoncoi emërimi në strukturat e antitrafikut në Vlorë i Ardian Licit, person që sipas Partisë Demokratike njihet për lidhjet e ngushta me bandën e Zani Çaushit. Opozita ka denoncuar edhe lëvizjet sipas saj të paligjshme në Policinë e Shtetit, por nga kjo e fundit nuk ka patur asnjë reagim.