Denoncimi i sanitares në “Stop”, Shoqata e Infermierëve: Korrupsioni nuk justifikohet me asgjë



Denoncimi i sanitares në “Stop”, Shoqata e Infermierëve: Korrupsioni nuk justifikohet me asgjë

13:08 14/01/2021

Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë ka reaguar sot lidhur me rastin e denoncuar dy net më parë nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan. Në një njoftim në mediat sociale, kjo shoqatë dënon aktin e korrupsionit të ndodhur në spitalin “Shefqet Ndroqi”, duke përdorur emrin e infermierit.

Shoqata shton se ku nuk është rasti i parë i denoncuar, pasi dhe më herë të tjera ku është njollosur emri i infermierit dhe deklarojnë se korrupsionin në çfarëdo lloj forme nuk e justifikon as lodhja, as stresi, as pagat e ulëta, asgjë tjetër.

“Shoqata e Infermiereve i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Prokurorisë dhe çdo institucioni përgjegjës që të hetojë rastin deri në fund duke nxjerr të gjithë të përfshirët në këtë rast korruptiv me pasojë vdekjen e pacientes. Pavarësisht titujve dhe pozicioneve që kanë personat e përfshirë përpara drejtësisë dhe ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë”, shtohet në deklaratë.

Më tej bëhet thirrje që hetimet të vijojnë edhe për raste të tjera të ngjashme dhe të hetohen dosjet e personelit që ushtrojnë profesionin.

Gjithashtu duhen hetuar dhe të gjithë dosjet e personelit që ushtron profesionin sa të rregullt janë ligjërisht në ushtrimin e profesionit të tyre pasi prej kohesh kemi bërë thirrje që të verifikohen  dosjet e infermiereve pasi një numër i konsiderueshëm e ushtrojnë profesionin në shkelje si: pa lejen e ushtrimit të profesionit ose pa kualifikimet e duhura, persona që nuk plotësojnë kriteret për të qenë në një pozicion por për shkak të shumë arsyeve ato janë në atë pozicion dhe kanë sjell dëmtim të sistemit”, vijon deklarata.

Historia e sanitares Tire Alldervishi u publikua të martën në mbrëmje në emisionin “Stop” në Tv Klan, ku u publikuan komunikimet mes vajzës të së ndjerës dhe punonjëses së spitalit “Shefqet Ndroqi” që tregonin qartë abuzimin me detyrën në spital dhe pazarin me jetën e pacientes.

Sanitarja i ka marrë të paktën 8 milionë Lekë, vazjës së pacientes e cila pretendon se ajo i ndante me infermierët dhe mjekët, për t’i bërë një shërbim më të mirë nënës së saj. Edhe pse vajza pagoi miliona Lekë për nënën e saj në fund ajo vdiq.

Nëna e denoncueses ishte ankuar, se Tirja i kishte hequr bukën, ujin dhe nuk e kishte ndërruar, për shkak se të gjitha nevojat personale, ajo detyrohej t’i kryente në krevat.

Pas publikimit të skandalit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lëshoi një deklaratë, ku dënoi me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi”. Gjatë ditës së mërkurë ka reaguar edhe vetë Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, duke shkarkuar sanitaren dhe dënuar aktin e saj.

Tashmë Tire Alldervishi është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës./tvklan.al






Të ngjashme