Ka shkuar në dy numri i të arrestuarve për ryshfet nga farmacitë, një rast ky i denoncuar nga emisioni investigativ Stop, në Tv Klan. Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës tha këtë të premte se përveç punonjësit të Agjencisë së Barnave, Luan Çiçi, në pranga ra edhe përgjegjësja e kësaj agjencie, 38-vjeçarja Besiana Xhelilaj. Ndërkohë, punonjësi tjetër i Agjencisë Kombëtare të Barnave, Armando Luka, u shpall në kërkim.

Dy punonjësit u denoncuan të mërkurën në emisionin Stop në Tv Klan, nga një farmacist, i cili tregoi se si këta persona kishin shkuar në farmacinë e tij dhe i kishin thënë se kishin konstatuar disa shkelje për të cilat mund të gjobitej me 4 milionë lekë, por nëse i jepte atyre 1 milion çdo gjë ishte e mbyllur.

Sipas Prokurorisë së Tiranës këta persona ishin nën hetim në kuadër të një procedimi të regjistruar në vitin 2021 dhe video e fshehtë e emisionit, kishte ndihmuar hetimet në dokumentimin e shkeljeve.

Në një komunikim zyrtar, organi i akuzës thotë se këta shtetas në kundërshtim me ligjin gjithashtu favorizonin shitjen e mallrave kontrabandë dhe merrnin shuma që varionin  nga 30-50.000 lekë subjekteve private si shpërblim që të mos i ndëshkojnë me masa administrative.

Njoftimi i policisë Tiranë

Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Farmacisti”, për gjurmimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Shpërdoruan detyrën dhe morën para, për të mos raportuar shkeljet që kryheshin nga subjektet farmaceutike ku ata ushtronin kontroll, vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Të arrestuarit, përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave, ndërsa i shpalluri në kërkim, një tjetër specialist i kësaj agjencie.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Farmacisti”.

Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:

  • Besiana Xhelilaj, 38 vjeçe, banuese në Tiranë, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave;
  • Luan Çiçi, 35 vjeç, banues në Tiranë, specialist i Agjencisë së Barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore-procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi Armando Luka, 28 vjeç, specialist i Agjencisë së Barnave.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Farmacisti”, ka rezultuar se këta shtetas, në cilësinë e punonjësve të Agjencisë së Barnave, ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme farmaceutike dhe duke shpërdoruar detyrën, merrnin shuma parash, për të mos raportuar shkeljet ligjore që kryheshin nga këto subjekte.

Vijon puna për kapjen e shtetasit Armando Luka, si dhe për evidentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al