Policia e Tiranës ka vënë në pranga Igli Petin, 35 vjeç që u denoncua një natë më parë në emisionin “Stop”. Ai mashtroi dhe i mori 2 mijë Euro një qytetari duke i premtuar sigurimin e licencës për infermier.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë arrestuan shtetasin Igli Peti, 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës””, njoftoi policia.
Në redaksinë e emisionit “Stop” u drejtua një qytetar, i cili tha se Igli Peti, kryeinfermier tek reparti ORL të Spitali i Traumës, i ka premtuar ta pajisë me kartonin e licencës së infermierit, madje pa u futur fare në provim.
Për këtë, denoncuesi i ka dhënë 2 mijë Euro, por nuk mori as licencën e as nuk mundi ta kontaktojë më Iglin, pasi ky i fundit bëri bllok.
Bashkëpunëtori i “Stop” u takua me Igli Petin, i cili pranoi se ka marrë paratë, por premtoi se do ta mbarojë shërbimin që ka marrë përsipër pasi njeh një person në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.
Igli tha se gjithçka do të përfundonte në Gusht. Por as në gusht, Igli nuk e kreu detyrimin dhe ndërpreu komunikimin. Në Shtator stop shkoi sërish në Spitalin e Traumës, por mësoi se Igli kishte bërë dorëzimet dhe kishte shkuar në Gjermani./tvklan.al