Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji akuzon Kryeministrin Edi Rama se po zbaton kodin e heshtjes duke mos folur për kryebashkiakun e zgjedhur të Vorës, Agim Kajmaku.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Salianji u shpreh se PD ka denoncuar me prova Agim Kajmakun si person të arrestuar në Greqi për falsifikim të parave kur përdorte identitetin Jorgo Toto.

“Me gjithë këto prova të pakundërshtueshme, Kajmaku i Rilindjes fshihet pas rreshtave të mashtrimit të Edi Ramës, i cili me kodin mafioz të heshtjes, mbron të inkriminuarin me të cilin është ulur në sofrën e pushtetit. Edi Rama prej 10 ditësh nuk ka thënë asnjë fjalë për mollën e kalbur nxjerrë nga shporta e krimit që mban në dorë.

As ai dhe as Kajmaku i tij nuk thonë dot asnjë fjalë për fotografinë e njëjtë në dy pasaporta, sepse fytyra e vërtetë e krimit është në dy pasaportat e një njeriu të vetëm: Agim Kajmakut alias Jorgo Toto, personi që është arratisur nga Greqia. Edi Rama nuk flet më, sepse Jorgo Toto është Agim Kajmaku, njeriu me të cilin ndan miliona Euro para publike me tendera e koncensione”, tha ndër të tjera ish-deputeti Ervin Salianji. /tvklan.al