Një ditë më parë, emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi rezultatin skandaloz të analizave të qumështit dhe nënprodukteve të tij, të cilat ne konsumojmë çdo ditë.

Mostrat që u analizuan në laboratorin privat kishin ngarkesë të madhe bakteriale dhe koliforme, duke iu referuar parametrave të Italisë. Kjo e fundit  lejon që produkti ta ketë nga 100 mijë deri në 500 mijë ngarkesën bakteriale, ndërkohë që në Shqipëri varion nga 26 milionë në 77 milionë.

Emisioni “Stop” mësoi se Ministria e Bujqësisë nuk ka norma bakteriale të lejuara, tejkalimi i të cilave do të mund të quhej shkelje.

Sot gazetari i emisionit “Stop” iu drejtua Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të pyetur sesi funksionon përcaktimi i ngarkesës bakteriale te qumështi dhe nënproduktet e tij.

Përgjegjësja në Sektorin e Koordinimit të Laboratorëve në DPAKU, Iara Allkoshaj tha se deri më tani analizat janë kryer vetëm për qumështin e freskët dhe jo atë të pasterizuar.

Lidhur me koliformët nuk kemi një bazë ligjore për të operuar. Duke marrë indicion nga emisioni ‘Stop’ do t’i drejtohemi paneleve shkencore dhe në bashkëpunim me Ministrinë për të përafruar legjislacione ekzistuese apo për të nxjerrë nje rregullore kombëtare për vendin tonë”,

u shpreh Allkoshaj.

Falë investigimit të emisionit “Stop”, AKU tanimë do t’i drejtohet Komisionit Europian për këtë problematikë, në mënyrë që të merret një konkluzion sa më produktiv./

tvklan.al