Ish-shefi i sigurisë së kompanisë Twitter dëshmoi para një komisioni të Senatit të martën se ish-punëdhënësi i tij kishte përparësi fitimet duke injoruar shqetësimet e sigurisë që ai tha se rrezikonin që informacioni i përdoruesve të binte në duar tee gabuara. Senatorët amerikanë shprehën shqetësimet për dobësitë e sigurisë në Twitter, ndërsa ish-shefi i sigurisë nënvizoi shqetësimet serioze për platformën me ndikim të mediave sociale.

I thirrur para Komisionit të Senatit amerikan për Drejtësinë Peiter “Mudge” Zatko, dëshmoi se Twitter-it i mungonin masat bazë të sigurisë dhe kishte një qasje të lirë për marrjen e të dhënave midis punonjësve, duke e lënë platformën të hapur ndaj rreziqeve të mëdha. Ai tha se nuk po i bënte këto deklarata “për inat ose për të dëmtuar Twitterin”.

“Ajo që vura re, kur ne e dinim se një person i brendshëm vepronte në emër të një interesi të huaj si agjent i paregjistruar, ishte jashtëzakonisht e vështirë për të gjurmuar njerëzit. Kishte mungesë aftësie për të parë se çfarë po bënin, çfarë informacioni po merrnin ose për të përmbajtur aktivitetet e tyre, e lëre më të vendoseshin hapa për riparimin dhe rindërtimin e mundshëm të ndonjë dëmi. Atyre thjesht u mungonin aftësitë themelore për të ndjekur agjencitë e huaja të inteligjencës dhe për t’i dëbuar ato“.

Si demokratët ashtu edhe republikanët shprehën shqetësimin se dobësitë e Twitter-it mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

“Unë nuk do t’i jepja saktësisht një notë kaluese Twitter-it kur bëhet fjalë për sigurinë e informacionit që ata kanë mbledhur. Tani, më lejoni t’ju pyes, si do t‘i vlerësonit agjencitë qeveritare që kanë njëfarë përgjegjësie për t’u siguruar që privatësia dhe siguria e konsumatorit amerikan mbrohet, për shembull, Komisionin Federal të Tregtisë, Komisionin e Shkëmbimit të Letrave me Vlerë dhe të tjerët?”, pyeti senatori Dick Durbin.

“Sinqerisht, mendoj se Komisioni Federal i Tregëtisë është i mbingarkuar. Ata kanë sfida me kompanitë e mëdha të teknologjisë. Ata i lënë kompanitë të vlerësojnë vetë punën e tyre. Dhe mendoj se kjo është një nga sfidat e mëdha”, tha eksperti i sigurisë kibernetike.

Ish punonjësi i Twitterit, i cili radhiti një numër shqetësimesh më parë në një ankesë prej 84 faqesh drejtuar Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve dhe agjencive të tjera rregullatore të qeverisë amerikane, tha se stimujt ekzekutivë i detyrojnë drejtuesit e Twitter të kenë përparësi fitimet mbi sigurinë.

Shefi Ekzekutiv i Twitterit, Parag Agrawal refuzoi të paraqitej vullnetarisht para komisionit të martën. Senatorët Durbin dhe Grassley u thanë gazetarëve se do të diskutojnë një thirrje të detyruar për ekzekutivin e Twitterit.

Pas dëshmisë së zotit Zatko, Twitteri njoftoi se aksionerët e tij kanë miratuar një ofertë për blerjen prej 44 miliardë dollarësh nga shefi ekzekutiv i Teslës, Elon Musk. Por që kur bëri ofertën, miliarderi e ka ndërprerë marrëveshjen, duke akuzuar Twitterin se ka keqinterpretuar numrin e përdoruesve autentikë. Twitteri e ka kundërshtuar dhe çështja është planifikuar të dëgjohet në një gjykatë në Delaware muajin e ardhshëm. /VOA