Pas një seance maratonë, Kuvendi i Kosovës miratoi me 59 vota pro asnjë kundër dhe 1 abstenim rezolutën e propozuar nga LDK, për ngritjen e një komisioni hetimor, me qëllim zbardhjen e plotë të deportimit 6 turqve të akuzuar nga Ankaraja si gylenistë.

Gjatë seancës së kësaj të mërkure, ku mungoi kryeministri Ramush Haradinaj, të shumta ishin deklaratat kundër shefit të qeverisë.

Akuza pati edhe për presidentin Thaçi dhe zv/kryeministrin e parë Pacolli.

Deputetët e grupeve parlamentare ngritën shqetësimin njëzëri se arrestimi dhe deportimi i 6 turqve dëmon rëndë imazhin e Kosovës.

Nismëtari i rezolutës Avdulla Hoti i LDK-së tha se kjo ngjarje dëshmon se Hardinaj e ka humbur kontrollin e institucioneve që drejton. Por në replikë me të ishte ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili tha se Kushtetuta nuk e detyron të njoftojë kryeministrin për deportimin e shtetasve të huaj.

Përmes rezolutës së miratuar Kuvendi mandaton Komisionin Hetimor të kërkojë llogari në institucionet përkatëse dhe të shqyrtojë procedurat e ndjekura sipas Kushtetutës së Kosovës.

Tv Klan