Zyra britanike e Migracionit pezulloi dëbimin e një shqiptareje dhe vajzës së saj të mitur, pas këmbënguljes së tre deputetëve vendas. Shqiptares, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur i ishte refuzuar kërkesa për azil pak kohë më parë dhe autoritetet kishin nisur procedurat e dëbimit.

Sipas medias publike BBC, shqiptarja kishte shkuar në Britani nga Italia për t’i shpëtuar një grupi trafikantësh që e shfrytëzonin për prostitucion. Në Itali, ajo studionte për drejtësi dhe në aplikimin e saj për azil rrëfente se e kishin droguar dhe e kishin detyruar të prostituonte.

Pasi mësuan historinë e saj, tre deputetë të Norfolkut ku shqiptarja jeton aktualisht, 2 konservatorët Xhorxh Friman e Riçard Bejkën si dhe laburisti Kliv Ljuis ndërmjetësuan tek ministrja e shtetit për migracionin Kerolajn Nouks, e cila pranoi rishqyrtimin e kërkesës për azil. Deputetët i shprehën ministres rrezikun për jetën që i kanoset shqiptares nëse riatdhesohet.

Shqipëria konsiderohet vend i sigurt origjine në vendet perëndimore. Dyndjet e viteve të fundit të dhjetëra mijëra shqiptarëve për të kërkuar azil në vendet europiane, i kanë bërë aplikimet e tyre më pak të besueshme për autoritetet e vendeve të BE-së.

Tv Klan