Deputetët e Partisë Demokratike u përplasën me Gardën në hyrje të sallës së Parlamentit, duke kërkuar të hynin në Parlament për seancën e sotme plenare. Por Garda nuk lejoi një pjesë të tyre për shkak se janë të përjashtuar.

Hyrja e Parlamentit qëndronte e bllokuar nga punonjësit e Gardës për të mos lënë në seancë deputetët e Partisë Demokratike që janë të përjashtuar me 10 ditë për shkak të sjelljes së tyre në seancat e kaluara plenare.

Bëhet fjalë për 13 deputetë të cilët janë të përjashtuar me 10 ditë nga jeta parlamentare.

I pranishëm në ambientet e jashtme të Parlamentit ishte edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha.


Tensione nga jashtë parlamentit, Berisha: Kësaj i thonë të futesh në parlament nga vrima e miut

Kryedemokrati Sali Berisha ka ironizuar deputetët socialistë për hyrjen, sipas opozitës, nga dera e kaldajës. Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur se kësaj i thonë që të futesh në parlament nga vrima e miut. Berisha ka thënë se ky është fundi i atij që e ka quajtur “narko-parlamenti i regjimit të Edi Ramës”.

Sali Berisha: Filmojeni nga futen deputetët e Edi Ramës! Filmojeni! Kësaj i thonë të futesh në parlament nga vrima e miut! Këtu u katandis parlamenti, narko-parlamenti Rama-Linda. Deputetët futen nga kjo deriçkë e cila përfaqëson vrimën e miut! Ky është fundi i narko-parlamentit të narko-regjimit të Edi Ramës.

Gazetari: Edhe rreth 1 muaj më parë, deputetët e opozitës janë futur nga dritarja në kryesinë e Kuvendit.

Sali Berisha: Dritarja është dera e burrit, ai që hyn nga dritarja është tarzan, është dera e tarzanit. Mos i krahasoni gjërat.


“Plani B”, opozita tenton të bllokojë deputetët e mazhorancës të hyjnë në Kuvend

Prej orës 09:30 të mëngjesit të sotëm, deputetët e opozitës nuk po lejohen të hyjnë në Parlament nga punonjësit e Gardës pasi janë të përjashtuar nga seanca plenare.

Garda po qëndron në shkallët në hyrje të Parlamentit duke bllokuar deputetët e PD-së që të hyjnë.

Po kështu, edhe nga hyrja e pasme qëndrojnë gardistë duke mos lejuar deputetët demokratë.

Të gjendur në këto rrethana, Sali Berisha tha se opozita po zbatonin “planin B”, duke mos lejuar gjithashtu deputetët e mazhorancës që të hyjnë nga dera kryesore dhe ajo dytësore.

Opozita është ndarë në dy grupe; një pjesë qëndrojnë te dera kryesore, kurse pjesa tjetër tek hyrja e pasme.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përplasur disa herë me gardistë dhe me deputetë të mazhorancës duke mos i lejuar të hyjnë në sallë.

Por mesa duket, mazhoranca ka hyrë nga një derë e vogël, që sipas opozitës, është dera e kaldajës së Kuvendit.


“Ik pi*dhu, legen, burracak!” Xhaçka i kthehet Bardhit pasi deputeti nuk e lejoi të hynte në parlament

Teksa qëndrojnë në hyrjen e pasme të parlamentit, Gazment Bardhi dhe Edi Paloka, nuk kanë lejuar që të hyjnë brenda në seancë 2 deputetet e PS-së, Klotilda Bushkën dhe Olta Xhaçkën.

Kjo ka shkaktuar një debat të ashpër dhe akuza nga ana e Gazment Bardhit ndaj Olta Xhaçkës teksa kjo e fundit nuk i ka kursyer as ofendimit në drejtim të deputetit demokrat.

Gazment Bardhi-Olta Xhaçkës: Nuk është rregulli i hajdutut, hajdutët hyjnë brenda, të ndershmit hyjnë brenda. Mos më prek me dorë mua.

Edi Paloka: Ik mos bëj si e fortë.

Olta Xhaçka-Gazment Bardhit: Dil andej, dil andej!

Gazment Bardhi-Olta Xhaçkës: Shko njëherë jep llogari për ato pronat e falsifikuara që ke vjedhur.

Olta Xhaçka-Gazment Bardhit: Nuk është hyrja hajdutët brenda dhe të ndershmit jashtë! Nuk është kështu, as me investime strategjike dhe as me fonde AZHPR-je.

Olta Xhaçka-Gazment Bardhit: Unë e di si e do përgjigjen ti, por nuk e meriton.

Gazment Bardhi-Olta Xhaçkës: Përgjigjen ta japësh për SPAK ti! Do ta japësh shumë shpejt në SPAK!

Olta Xhaçka-Gazment Bardhit: O legen, o burracak, ik pirdhu!

Gazment Bardhi-Olta Xhaçkës: Përgjigjen do ta japësh shumë shpejt në SPAK!


Bardhi dhe Noka nuk lejohen të hyjnë në parlament: Kanë kaluar 10 ditë nga përjashtimi, afati ka skaduar

Teksa tentojnë të hyjnë në Kuvend, deputetët demokratë, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi kanë dhënë dhe një prononcim për mediat.

Noka është shprehur se nuk është i përjashtuar teksa ka shtuar se nuk respekton asnjë vendim të kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe atyre që i ka quajtur kamikazë të kryeministrit Rama.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka deklaruar se disa deputetë janë përjashtuar në një seancë ku kanë kaluar 10 ditë dhe sipas tij, nuk duhet të ndalohen të hyjnë në Kuvend.

Bardhi ka shtuar se do të tentojnë të hyjnë në Kuvend në respekt të mandatit që ju kanë dhënë qytetarët e Shqipërisë.

Flamur Noka: A mund të quhet shtet ky? A ka demokraci? Prej kujt e ruajnë parlamentin këto? Prej anëtarëve të parlamentit. Nuk jam i përjashtuar, Linda nuk ka të drejtë të përjashtojë. Nuk respektoj asnjë vendim të Lindës dhe kamikazëve të Ramës.

Gazment BardhiKanë kaluar 10 ditëNe jemi përjashtuar në një seancë ku kanë kaluar 10 ditë nga përjashtimi. Kemi respektuar afatin 10 ditor, ka skaduar afati. Nuk po lihen deputetët që nuk janë të përjashtuar në seancë. Pse nuk lejohen deputetë e papërjashtuar që të futen në seancë? Duhen lejuar të futen në seancë. Është një parlament 1 partiak, lejohen vetëm ata që mbështesin Edi Ramës të futen në seancë. Ne do të tentojmë të hyjmë në respekt të mandatit që na kanë dhënë qytetarët e Shqipërisë. Mandatet i kemi fituar me sakrificë, janë vota të popullit opozitar dhe ne jemi këtu për t’i përfaqësuar në ushtrim të mandatit që na kanë dhënë qytetarët.


DEPUTETËT E PËRJASHTUAR TË PD:

Gazment Bardhi

Sali Berisha

Flamur Noka

Edi Paloka

Albana Vokshi

Elda Hoti

Ervin Salianji

Bledion Nallbati

Asllan Dogjani

Lefter Gështenja

Isuf Çelaj

Luan Baçi

Xhelal Mziu


/tvklan.al