Me qëndrime e pritje të ndryshme rreth rifillimit të punës së Kuvendit të Kosovës në sesionin e ri, deputetët e partive në pushtet dhe ata në opozitë, kanë vazhduar mbajtjen e pozicioneve të kundërta ndërmjet vete, që ishte reflektuar edhe gjatë gjithë kohës së punës së kësaj përbërjeje të legjislativit.

Përderisa partitë në pushtet presin që Kuvendi që në start të punës të miratojë Projektligjin për buxhetin e vitit 2019, atë për pagat dhe Projektligjin për dialogun, opozita shprehet e rezervuar, sidomos në lidhje me buxhetin dhe dialogun.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim të premten që fillimi i punës së Kuvendit, pas pushimeve dimërore, të jetë 30 janari.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se me datën 30 janar do të nisin seancat parlamentare dhe se, sipas tij, në rend të ditës për shqyrtim do të ketë shumë çështje të rëndësishme për qytetarët.

“Projektligji i Buxhetit, statusi i Trepçës që shumë shpejt do ta kalojë Kuvendi i Kosovës, Ligji për Pagat dhe një mori ligjesh të tjera që do t’i aprovojë ky Kuvend në shërbim të interesave të qytetarëve. Po ecim mirë, për aq sa jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi, por viti 2019 do të jetë viti i suksesit të Kosovës, vit i shpërthimit politik, diplomatik dhe ekonomik – vit i Kosovës në Organizatën e Kombeve të

Për dallim nga optimizmi i kryetarit të Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovë, Avdullah Hoti, tha se fillimi i punës së Kuvendit nuk pritet të jetë shumë efektiv, pasi që, sipas tij, qysh seanca e parë do të nisë me 64 pika në rend të ditës. Kjo, nënvizoi ai, vërteton se me qëllim po shtyhen disa çështje të rëndësishme.

“Gati me qëllim po krijohet një tendencë që të zvarriten çështjet që janë më interes për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës. Ajo që dua ta them këtu është se në takimin e Kryesisë, kryetari i Kuvendit nuk e ka shqyrtuar fare çështjen e krizës totale që e ka përfshirë vendin në arsim e në shëndetësi, me grevat e minatorëve, me paralajmërimet që mund të kemi edhe greva nga shërbyesit civilë”,

theksoi Hoti.

Sa i takon çështjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hoti tha se Ekipi negociator nuk përfaqëson askënd.

“Ju e dini qëndrimin e LDK-së, ky Ekip negociator nuk përfaqëson askënd. Ne jemi duke dhënë kontributin tonë dhe do ta japim fjalën tonë”

, u shpreh Hoti.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, tha se për të marrë vendime për çështje të rëndësishme për vendin, duhet të ketë bashkëpunim dhe unitet.

“Është e rëndësishme që ne të kemi unitet përballë kujtdo që e cenon këtë Republikë dhe kjo është detyrë e jona e shtëpisë, edhe si deputetë, edhe si përfaqësues të popullit. Pra, e kemi të qartë historikun tonë të dy apo tre dekadave të fundit se kur kemi qenë bashkë përballë Serbisë, ia kemi dalë mirë dhe mbarë”.

“Për ne është e rëndësishme që në Kuvendin e Republikës së Kosovës të jemi bashkë përballë një sfide që po na paraqitet. A ka apo nuk ka marrëveshje (me Serbinë) është çështje tjetër, por nuk duhet të ketë marrëveshje dhe ky është qëndrim i delegacionit, pa njohje. Pra, njohja është parakusht i çfarëdo lloj marrëveshjeje”,

tha Sejdiu.

Puna në Kuvendin e Kosovës që nga nisja e konstituimit të tij, është përcjellë me zvarritje të shumta dhe ndërprerje të herë pas hershme të punës, për shkak të mungesës së deputetëve në sallë.

Si pasojë e dinamikës së ulët të punës në Kuvendin e Kosovës, një numër i konsiderueshëm i ligjeve kanë mbetur të pamiratuara.

Kuvendi i Kosovës deri në fund të vitit 2018 nga 177 ka miratuar 75 ligje, kurse në procedurë janë 56 projektligje, ndërsa në pritje janë edhe 46 projektligje të tjera./REL