Ashtu siç kishin paralajmëruar, një grup deputetësh të Partisë Demokratike depozituan në Kuvend projektligjin për ndarjen e re territoriale.

Bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Territoriale, Dhurata  Çupi tha se nisma e depozituar në Kuvend parashikon rritjen me 33 të numrit të bashkive nga 61 që ka aktualisht, si dhe ndarjen e territorit  nga 3-6 rajone.

Dhurata Çupi: Kemi propozuar 94 numrin total që janë kërkuar gjatë konsultimeve me qytetarët në të gjithë vendin. Kemi qenë në të gjitha qarqet e vendit. Kemi dorëzuar interesat e qytetarëve.

Pak orë pasi e depozituan nismën e tyre në Kuvend, 7 prej deputetëve firmëtarë u takuan me disa prej ambasadorëve më të rëndësishëm në vend, si dhe atë të OSBE-së.

Pas takimit që zgjati më shumë se 90 minuta, Enkelejd Alibeaj tha se reforma territoriale dhe jo vetëm ishin në fokus të bisedës me ambasadorët.

Enkelejd Alibeaj: Objekt i takimit ishin ato reforma që ne i kemi filluar në kuvend, ajo territoriale, zgjedhore dhe të tjera. Kemi sqaruar dhe kemi shkëmbyer vizione dhe takimet do të vazhdojnë.

Ky projektligj i deputetëve që mbështesin Enkelejd Alibeajn vjen në një kohë kur socialisstët ndonëse nuk kanë bërë asnjë propozim konkret, kanë shprehur jo pak rezerva duke i qëndruar versionit me 61 bashki.

Tv Klan