Pas mbështetjes së dhënë për hapjen e negociatave, Austria shpreh shqetësim lidhur me çështjen “Xhafaj”, që ka rikthyer tensionin në politikën shqiptare. Deklarata u bë në Tiranë nga Kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane në parlamentin austriak Reinhold Lopatka pas një takimi që së bashku me zv/kryetarin e Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Michael Hammer zhvilluan me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

 “Padyshim, që në jemi pro hapjes së negociatave në Këshillin Europian në fund të Qershorit. Megjithatë më duhet të theksoj se ne jemi të shqetësuar për çështjen Xhafaj. Rasti i ministrit Xhafaj duhet të hetohet në mënyrë të besueshme në mënyrë që të mbështesë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.”

Të njëjtin shqetësim Lulzim Basha pohoi se e kishte ndarë me miqtë austriakë në konferencën e përbashkët për shtyp, ku nuk i shpëtoi interesit të medias lidhur me daljen në skenë të një personi që pretendon se në audio-përgjimin e publikuar nga selia blu  zëri është i tij dhe jo i vëllait të Ministrit Xhafaj.

“Me siguri artikulli është shkruar në Surrel, kështu që bëjani pyetjen kryeministrit.”

I pyetur në lidhje me ngritjen e një kampi refugjatësh në Shqipëri, Basha bëri këtë koment.

 “Një dimension i tillë që kapërcen kufijtë e vendit tonë nuk mund të jetë një vendim i vetëm një personi, aq më pak nëse kjo serviret si karamele për të ëmbëlsuar gojën e hidhur të Europës nga skandalet Tahiri, Xhafaj dhe lufa e pamjaftueshme kundër drogës dhe krimit”. 

Një ditë më parë Austria, Gjermania, Holanda dhe Danimarka i propozuan Brukselit si zgjidhje përfundimtare për refugjatët nga Lindja e Mesme ngritjen brenda këtij vitit të një kampi të përhershëm azilkërkuesish në një shtetet të kontinetit euopian, por jashtë kufinjve të BE-së.

Tv Klan