Kriza politike në Shqipëri është një luftë për pushtet. Është ky mendimi i raportuesit për Shqipërinë në parlamentin gjerman, Manuel Sarrazin, nga të Gjelbrit i cili thotë se qëndrimi i opozitës për djegien e mandateve dhe bojktotimin e zgjedhjeve është në disfavor të vendit.

“Unë nuk besoj se akuzat e opozitës e justifikojnë bojkotimin e parlamentit dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje. Përshtypja ime është se aty po zhvillohet një luftë e fortë për pushtet mes Ramës dhe Bashës dhe kjo luftë në këtë gjendje nuk është e aspak e favorshme për vendimin qe duhet te marrin deputetët ne Bundestag”.

Përgjimet e publikuara nga tabloidi Bild, Sarrazin i cilëson të njëanshme dhe të publikuara enkas në një moment delikat siç është ai përpara vendimit për negociatat.

“Raporti në gazetën “Bild” nuk të jep përshtypjen se është marrë si duhet me verifikimin e të dhënave. Gjithashtu unë u çudita shumë se përse pikërisht në këtë moment kur do të merren vendimet në qeverinë federale dhe në parlamentin gjerman, gazeta “Bild” shkon e boton këtë raportim kaq të njëanshëm. Dhe kjo të lë përshtypjen se ka patur një funksion politik”.

Sarrazin zbardh edhe qëndrimin e kancelares për shtyrjen e vendit të negociatave në vjeshtë, duke e vënë theksin tek përçarja brenda vetë koalicionit të madh qeverisës në Gjermani, ku CDU kërkon shtyrjen ndërsa socialdemokratët dhënien e dritës jeshile.

“Ajo thjesht e tha këtë duke informuar për planin kohor dhe tha se beson se votimi do të bëhet në shtator/tetor, sepse ekziston ende nevojë koordinimi brenda grupit të saj parlamentar. Por ajo vetë nuk u shpreh as pozitivisht e as negativisht dhe nuk tha se cili do të jetë rezultati i këtij procesi votimi”.

Raportuesit për Shqipërinë sqaron se rastet e shitblerjes së votës duhen nxjerrë në dritë, por i cilëson ato si një fenomen jo vetëm shqiptar.

Tv Klan