Deputeti i PS: Largimi i Eduard Halimit na lehtëson punën

Deputeti i PS: Largimi i Eduard Halimit na lehtëson punën

17:25 09/02/2018

Largimi nga politika i deputetit të Partisë Demokratike Eduard Halimi do të lehtësojë punën e socialistëve në Komisionin e Ligjeve.

Kështu është shprehur në një postim në Facebook deputeti i PS Ulsi Manja. Ky i fundit ka vlerësuar demokratin Halimi, si një jurist i aftë.

Deputeti Manja thotë se me mungesën e Halimit në Komisionin e Ligjeve, do të lehtësohet puna me anëtarët e tjerë demokratë të komisionit.

“Sapo mësova nga mediat se Eduard Halimi ka hequr dorë nga mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. 

U befasova! Ishte nje kundërshtar i vështirë, sepse është një jurist i afte. Pertej “hallit” te argumentimit juridik te pozicioneve shpesh të pambrojtshme politike të lidershipit të partisë së tij, z. Halimi mbetet gjithnjë një koleg i çmuar. Me ikjen e tij peshorja e komisionit djathtas lehtesohet ndjeshëm, për fat të keq. Megjithatë jeta vazhdon dhe si Kryetar i Komisionit të Ligjeve po edhe si ish-koleg deputet dhe koleg në profesion, i uroj Eduard Halimit shëndet e mbarësi në jetën e re jashtë politikës

“, deklaron deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja.

Për shkak të angazhimit personal në një projekt avokatie në Ballkan, Eduard Halimi dorëzoi sot mandatin e deputetit të Partisë Demokratike.

/tvklan.al

Të ngjashme
UKT