Deputeti më i ri i Lëvizjes Socialiste për Integrim që ka pranuar të marrë mandatin, Ralf Gjoni, është sulmuar mëngjesin e sotëm përpara banesës së tij, ku një protestues i ka hedhur bojë në fytyrë.

Në një prononcim për mediat në hyrje të Parlamentit, Ralf Gjoni u shpreh se sulmi ndaj tij me bojë ishte i porositur nga lart. Sipas Gjonit, qëllimi i tij është të përfaqësojë qytetarët që e kanë votuar dhe për këtë arsye ka pranuar mandatin e deputetit. Teksa ka theksuar se do të bëjë opozitë përballë qeverisë.

“Më hodhën bojë me anë të një shiringe. Ai dhe ajo që e kanë porositur këtë lloj sjellje rrugësh duhet ta dinë që kam ardhur këtu të betohem dhe nuk frikësohem në asnjë moment. Jam këtu që të përfaqësoj të gjithë ata të rinj dhe të reja që kanë shpresë se ky vend mund të bëhet. Unë kam ardhur për t’u betuar, nuk kam ardhur për të marrë një rrogë të qelbur shteti, por të përfaqësoj ata shqiptarë që ndihen të papërfaqësuar. Nuk do të lejoj kurrë që emri im të keqpërdoret. Mendoni që unë vij për t’i bërë fresk qeverisë”?

Në seancën e sotme parlamentare që nisi në orën 10:00, Ralf Gjoni u betua si deputet.

/tvklan.al

(Video: Momenti kur deputeti Ralf Gjoni sulmohet me bojë sapo del nga banesa e tij)