Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, përmes një lidhjeje direkte në Klan News për gazetarin Besard Jacaj foli për aksionin e opozitës duke deklaruar se ka ardhur koha që të kalohet në një stad tjetër.

Me këtë ritëm mendojmë që duhet të ketë ose një përshkallëzim, ose një mënyrë tjetër të të bërit aksion opozitar. Shikojmë ditën në vijim…Javën tjetër pavarësisht se është java e gjelbërt kemi lënë një mbledhje grupi parlamentar. Nisur nga fakti se ne u kemi thënë të gjithë deputetëve tanë se ky është një aksion dhe duhet të jemi ne në vijën e parë. Unë mendoj që deputetët duhet t’i shkojnë deri në fund kësaj situate. Unë do isha më shumë për radikalizmin e gjësë, jo pa fund, por radikalizmin dhe sensibilizimin e pjesës si njerëzore po ashtu dhe ndërkombëtare lidhur me atë që po ndodh në Parlamentin shqiptar, lidhur me salltanatet që po vendos zoti Edi Rama. Prandaj mendoj që dy javë maksimalizim dhe radikalizim i gjësë as nuk do ta pengonte më tej, se nuk besoj që ka një njeri që mund të shkojë më shumë se dy javë në grevë urie, por të ketë një sensibilitet. Nuk di ndonjë njeri që rron më shumë se dy javë pa ngrënë, megjithatë mendoj se kjo është në varësi të situatës“- kështu u shpreh ligjvënësi demokrat, duke pranuar se propozimi i tij nuk ka gjetur mbështetjen masive në grupin parlamentar.

“Ka mendime të ndryshme. Pikëpyetje ka sa të duash, është një masë radikale që nuk është se ndodh shpesh në Parlament”, shtoi Korreshi.

Sa i takon protestës së 20 Shkurtit, deputeti ai tha se demokratët dolën për tre arsye: Sepse demokratët u bashkuan, mllefi ndaj qeverisë dhe mbështetja ndaj Sali Berishës.

Klan News