Deputeti Ralf Gjoni ka sulmuar nga foltorja e Parlamentit ambasadorin e Britanisë së Madhe në vendin tonë, Duncan Norman.

Gjoni tha se ambasadori britanik tallet me qytetarët shqiptarë për kauzën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur sipas tij, vetë vendi i ambasadorit, Britania e Madhe, doli nga BE-ja.

Kulmi i ironisë dhe kulmi i batutës dhe talljes me shqiptarët, e dini kush është? Ambsadori i Mbretërisë së Bashkuar! Ambasadori britanik del lartë e poshtë, shoku i Lulit dhe i Monës, del lartë e poshtë dhe flet për nevojën e integrimit. Po a ka turp më të madh. Vendi që doli nga Bashkimi Europian, përfaqësuesi i këtij vendi sot tallet me shqiptarët. Deri dje tallej me këtë Parlament sepse na konsideronte ilegjitim. Ju garantoj që Berlini dhe Parisi vënë duart mbi kokë teksa shohin që ambasadori i Londrës mbështet kauzën e integrimit. Ta gëzoni kauzën e integrimit që është thjesht një përrallë e bukur”, tha deputeti Ralf Gjoni. /tvklan.al