Seanca plenare e kësaj të enjteje është shënuar me revoltimin e deputetit opozitar Kostaq Papa. Anëtari i Grupit Parlamentar “Demokraci dhe Drejtësi” foli për ngatërresa në parlament për të penguar fjalën e lirë të tij dhe deputetëve të tjerë.

Ai u shpreh se donte të fliste për problematikat e diskriminimit, duke qenë se sot raportoi Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Mirëpo, deputeti sipas nënkryetares së Kuvendit Vasilika Hysi, ai u kujtua vonë pasi në momentin që kishte fjalën duhej të shprehej për aktin normativ në lidhje mbi tatimin mbi të ardhurat.

Kjo në fakt revoltoi deputetin Papa, i cili kërkoi në mes të sallës që kryetari i tij i grupit parlamentar Edmond Stojku të japë dorëheqjen.

Kostaq Papa: Fjala jonë ka të bëjë me pikën parafolëse kështu që problematikat me ministren i kemi diskutuar edhe në komisione. Kështu që më lejoni të vazhdoj fjalën time, ashtu si fjalët e pasardhësit Ervin Meço janë fjalë që kanë të bëjnë në lidhje me problematikat e diskriminimit si një plotësim i rezolutës dhe në të mirë të saj.

Vasilika Hysi: Zoti Papa, rregullorja kërkon që të flisnit me aktin normativ. Nëse kishit pyetje për komisionerin ai ishte këtu. Nuk keni të drejtë të flisni për çështje jashtë rendit të ditës. Prandaj vëmendja dhe interesi i publikut është  tek akti normativ. Nëse keni gjë për aktin normativ vijoni, nëse jo më duhet t’ju ndërpres fjalën.

Kostaq Papa: Dikush në mënyrë tekniciene na ka bërë një përpjekje për të na ngatërruar ose për të na penguar fjalën e lirë. Dikush nga parlamenti duhet të japë dorëheqjen dhe njëkohësisht duhet të japë dorëheqjen direkt kryetari i grupit tonë parlamentar.

Vasilika Hysa: Problemet brenda grupit diskutojini vetë./tvklan.al