Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, i cili është shprehur si kundër Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, ka treguar sot se si mund të zgjidhet sipas kriza në PD.

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, Alizoti tha se kriza në PD mund të zgjidhet me ngritjen e një komisioni i cili do të drejtojë partinë dhe që të mos ketë një kryetar.

“Propozimi im është që zgjidhja e PD është një komision, jo më kryetar. Kultura jonë si shoqëri, plus dhe trashëgimia staliniste, unë jam partia, unë jam lideri. Kjo është kriza në PD dhe në PS, që unë jam partia, partia është lideri.

Unë mendoj se kryetarokracinë e shpëton një komision ose një pleqëri të urtësh. Duhet një grup me disa persona, ata që duan Bashën, ata që duan Berishën dhe ata që nuk duan asnjërin. Pse nuk zgjidhen kriza në PD se nuk është institucionale.

Edhe një në PS në të ardhmen, kur të bjerë Rama do të fillojë një luftë të madhe. Shqipëria vuan nga liderët jo nga shoqëria”, tha Alizoti.

I pyetur nëse mund të ketë zgjidhje të tjera përveç kësaj, deputeti i PD tha se kjo është zgjidhja më e mirë dhe se me këtë PD-së i kthehen institucionet./tvklan.al