Deputetja e Partisë Socialiste, Mirela Kumbaro ishte në një lidhje Skype për programin “Historia ime”, në Tv Klan.

Ajo u shpreh se kjo histori që jemi duke kaluar do vazhdojë deri sa të dalë vaksina dhe nuk është një histori vetëm shqiptare, por globale.

Kumbaro e fokusoi vëmendjen tek kultura dhe artistët, duke u shprehur se artistët sidomos ata të skenës kanë nevojë për një burim të pazvendësueshëm frymëzimi që është publiku.

Sipas saj, ta fusësh artistin tek ekrani i vogël i kompjuterit apo i telefonit është si të fusësh luanët në kafaz dhe shqetësimi i saj është se kur të mbarojë karantina dhe të shkojmë në teatër, a do jenë artistët me të njëjtën dëshirë.

Mirela Kumbaro: Ajo që mua më shqetëson është që kjo është një histori që nuk mbaron as në datën 6, as në datën 7, as në 11, as në 18, kjo histori do vazhdojë deri sa të dalë vaksina. Edhe kjo nuk është një histori shqiptare, kjo  është një histori globale. Më të globalizuar se kaq, nuk kemi qenë ndonjëherë. Problemi është se nëqoftëse po kujdesemi, po mendojmë se çfarë po ndodh me shumë kategori sociale. Pyetja që kam unë është çfarë po bëjmë me botën e kulturës, që do të thotë me artistët, me njerëzit. Do të vazhdojmë t’i lëmë, t’i përdorim si anestezi, ndërkohë që ata do vijë një moment do ta shterojnë produktin e tyre. Ta fusësh artistin tek ky ekrani i vogël i kompjuterit apo i telefonit është si të fusësh luanët në kafaz, e para dhe e dyta artistët kanë nevojë, sidomos ata të skenës kanë nevojë jetike për një burim të pazvendësueshëm frymëzimi që është publiku. Kanë nevojë për reagimin e publikut, për duartrokitjet, kanë nevojë për impulse fizike. Edhe në këtë kontekst ka dy palë, nga njëra anë janë krijuesit, janë artistët, të cilët unë besoj detyrimisht duhet të rishpikin vetven, ashtu sikurse e rishpikën vetveten këto dy muaj dhe na dhanë prodhime, shumë emocione na i risollën përmes internetit. Unë mendoj që kjo gjë s’do t’i mbajë dot gjatë dhe as duhet t’ua kërkojmë që t’i mbajmë gjatë. Se ditën që do mbarojë karantinimi dhe do duam të shkojmë në skenë, të shkojmë në teatër, a do jenë ata artistë me të njëjtën dëshirë? Ky është shqetësimi im./tvklan.al