Edhe liberal-demokratët gjermanë janë shprehur kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë. Deputetë të kësaj force politike i kanë kërkuar Kancelares Merkel të nxisë axhendën e njohjeve të Kosovës.

Një deputete e Parlamentit gjerman i bën thirrje qeverisë së Angela Merkelit të nxisë vendet europiane që nuk e kanë njohur Kosovën t’a pranojnë si shtet të pavarur. Komentet, Renata Alt pjesë e grupit parlamentar të Partisë së Demokratëve Liberale, i bëri në një intervistë për DW.

“Qeveria gjermane duhet të ushtrojë ndikim te të gjithë anëtarët e BE-së që Kosova të njihet. Për momentin kjo nuk po ndodh, prandaj do të ishte mirë që Gjermania të ushtrojë presion dhe të ndërmjetësojë që Kosova të njihet”.

Ajo shprehet kundër ndryshimit të kufijve, çka do të sillte efekt negativ domino, si në rastin e Republikës Serbe të Bosnjës.

“Është një lojë e rrezikshme që mund të ketë pasoja të paparashikueshme që nuk i merr dot me mend askush në këtë moment. Zhvendosja e kufijve nuk i zgjidh problemet nacionale. Në planin afatgjatë nuk do të duhej të kishte kufij dhe pakicat etnike duhet të gëzojnë kudo të njëjtat të drejta. Këtë e ka mbështetur gjithmonë edhe BE”.

Propozimi i Presidentit kosovar Hashim Thaçi për ndryshimin e kufijve nuk shihet me sy të mirë nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ka shprehur shqetësimin për rrezikun e destabilitetit të Ballkanit Perëndimor, teksa rajoni është në fazat para antarësimit në Bashkimin Europian.

Tv Klan