Derbi i kryeqytetit ka gjithmonë emocione edhe kur e njeh pak kampionatin dhe futbollin shqiptar. Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç tha se është përpjekur t’i largojë presionin lojtarëve të tij.

“Ky derbi është shume i rëndësishëm, por nuk kemi presion. Jam munduar t’ia them lojtarëve që kjo është një ndeshje festë, për të argëtuar tifozët. Tirana dhe Partizani kanë histori, gjithsesi në fushë nuk vlejnë as shifrat dhe as statistikat”, shprehet Veselinoviç.

Trajneri i bardhebluve, Bledi Shkëmbi e ka ndjerë si futbollist emocionin e derbit 16 vite më parë dhe tani do ta provojë në një rol tjetër.

“Atmosfera është e mirë. Nuk na pengon fakti që kemi barazuar. Fitorja në derbi është jo vetëm objektiv për skuadrën, por edhe për mua”, thotë Shkëmbi.

Të dy ekipet janë të plotë. Ndeshja më e famshme e futbollit shqiptar do të luhet të shtunën prej orës 20:00 në stadiumin Air Albania.

Tv Klan