Lojtarët në pritje të përgjigjeve të testeve të Covid-19

Derbi i fundit i sezonit u turbullua nga rezultimi pozitiv me Covid-19 të dy futbollistëve të Partizanit. Të gjithë të tjerët iu nënshtruan tamponit dhe në klubin e kuq besohet se nuk do të ketë lojtarë të tjerë të infektuar.

Gjithsesi stafi dhe futbollistët janë të hermetizuar, madje administrata e klubit tha se tekniku nuk do të dalë as në konferencën e zakonshme për shtyp para një ndeshjeje.

Nga ana tjetër, tekniku i bardhebluve Emanuel Egbo vazhdon të qëndrojë me këmbë në tokë dhe me besimin se do të ketë ndihmë hyjnore, nëse ndaj Partizanit si një ndeshje e radhës lojtarët e tij do të japin më të mirën e tyre.

“Të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Shpresoj që me kismet të Zotit, të marrim atë rezultat që na duhet”.

Koronavirusi tek Partizani nuk i ka shqetësuar bardheblutë.

“Nuk është herë e parë që ka lojtarë të infektuar. Presim të dalin rezultatet e lojtarëve të tjerë. Po dolën negativë, nuk kemi pse të kemi frikë, vetëm kujdes do të kemi. Është diçka normale për ne, nuk është hera e parë”.

Tiranës nuk do t’i mjaftojë fitorja në derbi, pasi i duhen 7 pikë për të arritur matematikisht trofeun, por për armatën e tifozerisë suksesi ndaj Partizanit do të ishte si kurorë mbi kupën e kampionit.

Tv Klan