Policia e Tiranës ka marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e derbit mes Partizanit dhe Tiranës, ndeshje që do të luhet në stadiumin “Air Albania” sot në orën 17:00.

Policia e kryeqytetit bën me dije se për shkak të masave të ndërmarra, do të bllokohen disa rrugë. Kështu, nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes do të kufizohet qarkullimi tek sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Lekë Dukagjini”, rruga “Dervish Hima” dhe zonat përreth stadiumit “Air Albania”.

Policia garanton dhe siguron lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Konkretisht, tifozët e Partizanit do të grumbullohen tek 21 Dhjetori dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga 21 Dhjetori, ura “Vasil Shanto”, kryqëzimi i rrugës “Komuna e Parisit”, rruga “Sulejman Delvina”, Libri Univeristar, Presidenca drejt për tek COIN dhe më pas t’u drejtohen hyrjeve tek tribuna N dhe E e stadiumit.

Ndërsa tifozët e Tiranës do të grumbullohen tek Teatri i Kukullave dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga Ministria e Brendshme, pedonalja, rruga “Xhorxh Bush”, rruga e “Elbasanit”, aAmbasada e SHBA-së, kthim në rrugën “Dervish Hima”, kthim në rrugën “Sheh Ahmet Pazari” dhe t’i drejtohen tribunës “S” të stadiumit.

Masat e policisë do të jenë të rrepta edhe për të hyrë në stadium, ku do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve.

Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërve apo kujdestarit. /tvklan.al