Derbi i Kupës së Italisë po afron dhe Milani po bëhet gati për një ndeshje edhe më të rëndësishme se sa janë zakonisht ato ndaj rivalëve zikaltër. Një tjetër dështim do të jetë i vështirë për t’u përtypur për tifozët kuqezinj. Por pas një Superkupe të Italisë, një trofe si Kupa e Italisë sigurisht që do të ngrohte shpirtrat e tyre të trazuar nga rezultatet aspak të mira në këtë sezon.

Por të eliminosh Interin nuk është e thjeshtë. Për më tepër që kjo fazë gjysmëfinale është me dy takime. Trajneri Conceiçao shpreson që të rikuperojë Thiaw, por edhe Musah, që ka shlyer penalitetin e shkualifikimit. Por Loftus-Cheek, do të mungojë.

Në fushë pritet një Milan me modulin 4-3-3, me Fofana, Musah e Reijnders në mesfushë dhe tridhëmbëshin Pulisic-Gimenez-Leao. Por ajo që Conceiçao do, është ekipi luftarak që u pa në momentet finale ndaj Napolit.

Ndërkohë tek Interi kanë marrë lajme negative nga infermieria. Mehdi Taremi ka një problem në muskulin e kofshës së majtë e do të mungojë në derbin ndaj “Djallit”, sfidën ndaj Parmës dhe përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve kundër Bayern-it.

Me Lautaron që pritet të jetë në stol ndaj Kuqezinjve, trajnerit Inzaghi i ngelen vetëm Thuram, Arnautovic e Correa, me këtë të fundit që ka qenë larg pritshmërive. Edhe Kristjan Asllani do të mungojë në derbin e Madoninës, për shkak të kartonit të verdhë të marrë ndaj Lacios.

Klan News